Renzi: Marrëdhëniet Rama-Meloni po kushtojnë shtrenjtë për italianët

0

Ish-kryeministri italian Matteo Renzi ka komentuar me ironi marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij italiane Giorgia Meloni, duke theksuar se këto lidhje të veçanta po shoqërohen me mungesë transparence dhe kosto të larta për qytetarët italianë.

Në një intervistë për Syri TV, Renzi deklaroi se marrëveshja për energjinë mes Emirateve të Bashkuara Arabe, Italisë dhe Shqipërisë, e nënshkruar së fundmi, ka kaluar pa informimin e duhur të parlamentarëve italianë. “Askush prej nesh nuk ka pasur dijeni për detajet e kësaj marrëveshjeje, ashtu siç ka ndodhur edhe për çështjen e emigrantëve,” tha Renzi.

Me një dozë humori, ai komentoi edhe marrëdhëniet e tij të mëparshme me Ramën kur ishte kryeministër, duke shtuar: “Nuk më ka dhuruar asnjëherë ndonjë shall dhe nuk më është gjunjëzuar. Është mirë që ka bashkëpunim maksimal, por çdo gjë duhet të mbështetet mbi transparencën dhe respektin për qytetarët.”

Renzi kritikoi edhe keqpërdorimin e fondeve publike, duke përmendur rastet e shpenzimeve për qendrat e emigrantëve si një shembull të shpërdorimit të taksave. “Italianët po paguajnë një çmim të lartë për këto marrëdhënie personale që prodhojnë marrëveshje prej miliarda eurosh,” theksoi ai.

Kjo deklaratë vjen mes kritikave të shumta ndaj mënyrës së komunikimit dhe bashkëpunimit të qeverisë italiane me partnerët ndërkombëtarë, duke ngritur pikëpyetje për rolin e transparencës dhe përfshirjes institucionale në vendimmarrje.

Artikulli i mëparshëmTragjedi në Itali, 13-vjeçarja shqiptare humb jetën pas një aksidenti të rëndë
Artikulli i radhësTrump injoron Ballkanin: Mickoski i vetmi lider me ftesë për inaugurimin presidencial