Trump injoron Ballkanin: Mickoski i vetmi lider me ftesë për inaugurimin presidencial

0

Të hënën, më 20 janar, Donald Trump do të bëjë betimin si presidenti i ri i SHBA-ve. Ndryshe nga tradita e mëparshme, Trump ka thyer precedentin duke ftuar disa liderë ndërkombëtarë në ceremoninë e tij të inaugurimit, por liderët nga Ballkani duket se nuk janë në listën e të ftuarve.

Nga Europa, janë ftuar kryesisht politikanë të së djathtës ekstreme, si Giorgia Meloni nga Italia, Nigel Farage nga Mbretëria e Bashkuar dhe Eric Zemmour nga Franca. Liderë të rëndësishëm si Emmanuel Macron dhe Ursula von der Leyen kanë munguar në listën e ftesave, duke zgjedhur të dërgojnë diplomatë përfaqësues.

Në Ballkan, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, është i vetmi lider që raportohet se ka marrë një ftesë private nga administrata e ardhshme amerikane. Mickoski pritet të jetë prezent në Uashington, ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama, homologu kosovar Albin Kurti, dhe presidentët e Serbisë e Malit të Zi duket se nuk janë përfshirë në “optikën” e presidentit të ri.

Kjo përzgjedhje ka ngritur debat mbi qëndrimin e administratës së Trump ndaj rajonit të Ballkanit, duke nënvizuar një qasje të orientuar drejt lidhjeve personale dhe mbështetësve politikë të së djathtës ekstreme. Në Shqipëri dhe rajon, kjo mungesë përfshirjeje shihet si një sinjal për marrëdhënie të vakëta diplomatike me administratën e ardhshme.

Artikulli i mëparshëmRenzi: Marrëdhëniet Rama-Meloni po kushtojnë shtrenjtë për italianët
Artikulli i radhësPolicia që (nuk) duam: Vrasja e Martin Canit ende e pazbardhur, heshtja që vret më shumë