Gjykata e Elbasanit ka dhënë dënimin me 17 vite burg për Erjon Llapushin, i akuzuar për vrasjen e kamarierit Gazment Kurmaku dy vite më parë. Llapushi, aktualisht në arrati, është dënuar në mungesë.
Ngjarja ndodhi më 2 tetor 2021, në një restorant në fshatin Labinot Fushë, Elbasan. Pas një konflikti për motive të dobëta, Llapushi, 33 vjeç, e sulmoi Kurmakun me grushte dhe sende të forta, duke i shkaktuar vdekjen.
Erjon Llapushi konsiderohet një nga personat më të rrezikshëm në listën e të kërkuarve të Policisë së Shtetit. Ai akuzohet gjithashtu për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, i cili përmes shantazhit dhe dhunës ka detyruar biznesmenë të ndryshëm nga Pogradeci të transferojnë aksione të kompanive të tyre.
Autoritetet janë ende në kërkim të Llapushit, ndërsa procesi për zbulimin e vendndodhjes së tij vazhdon.