Ish-zëvendëskryeministri në arrati, Arben Ahmetaj, do të rikthehet me një tjetër intervistë të bujshme në ekran. Për herë të tretë, Ahmetaj ka zgjedhur emisionin e gazetarit Çim Peka për të bërë rrëfimin e tij, që pritet të trazojë sërish skenën politike shqiptare.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Çim Peka ka paralajmëruar se intervista e Ahmetajt do të transmetohet të hënën në orën 20:45. Gazetari ka lënë të kuptohet se ish-zv.kryeministri do të publikojë fakte të reja që mund të trondisin qeverinë Rama.
Ky është rrëfimi i tretë i Ahmetajt nga arratia, pas akuzave të rënda për korrupsion dhe përfshirje në skandale të ndryshme që vazhdojnë të hetohen nga SPAK. Në daljet e mëparshme, Ahmetaj ka pretenduar se disponon prova dhe informacione që përfshijnë drejtuesit më të lartë të qeverisë.
Kjo intervistë pritet me interes të madh nga opinioni publik, ndërsa mbetet për t’u parë se cilat do të jenë “bombat” e Ahmetajt këtë herë dhe ndikimi i tyre në zhvillimet politike në vend.