Një ngjarje e rëndë tronditi mëngjesin e sotëm Zall Mnerin, ku është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij një 48-vjeçar nga Kamza. Viktima, i identifikuar si Lulzim Visha, dyshohet se është vrárë me armë zjarri në rrethana ende të paqarta.
Sipas Policisë së Tiranës, trupi i pajetë u gjet në rrugën “Shën Stefani” rreth orës 07:40. Forcat e rendit ndodhen në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për zbardhjen e motiveve dhe identifikimin e autorit/ëve të kësaj ngjarjeje.
Burime nga policia konfirmojnë se janë duke u shqyrtuar të gjitha pistat hetimore, përfshirë edhe mundësinë e një konflikti të mëparshëm. Ngjarja ka ngjallur shqetësim tek banorët e zonës, të cilët kërkojnë më shumë siguri dhe masa për parandalimin e krimeve të ngjashme.
Autoritetet vijojnë punën për mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve të mundshëm, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vrasjeje.