Hetimet për vrasjen misterioze të 48-vjeçarit Lulzim Visha vijojnë, ndërsa policia ka publikuar detaje të reja nga ngjarja e rëndë që tronditi Zall Mnerin. Visha u gjet i pajetë brenda automjetit të tij në rrugën “Shën Stefani” mëngjesin e sotëm, ku raportohet se është qëlluar me armë zjarri.
Gjatë këqyrjes së vendngjarjes, autoritetet kanë zbuluar 12 gëzhoja plumbash brenda automjetit. Pista kryesore që po hetohet është gjakmarrja, duke qenë se viktima është vëllai i Besnik Vishës, i cili në vitin 1997 vrau Refik Domin pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës për motive të dobëta.
Policia është duke hetuar rrethana të tjera që mund të lidhen me ngjarjen dhe po kryen marrjen në pyetje të personave që mund të kenë informacion mbi konfliktet e mundshme të viktimës.
Grupi hetimor po vazhdon punën intensive për të identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa familjarët e viktimës kërkojnë zbardhjen e plotë të të vërtetës.