Një detaj tronditës ka dalë në dritë disa muaj pas masakrës së Memaliajt, ku më 21 korrik 2024 u vranë tre persona dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë. Mes viktimave ishte edhe Gledian Muka, kamarieri dhe banakieri i lokalit ku ndodhi sulmi.
Por vetëm tre ditë pas vrasjes, më 24 korrik, emri i tij u shpall fitues në Lotarinë Amerikane, duke zbuluar një ëndërr të parealizuar për një jetë më të mirë jashtë vendit. Hamza Muka, babai i të ndjerit, rrëfeu për mediat se djali i tij priste me padurim përgjigjen nga lotaria, pa e ditur se fati i tij tragjik do t’i priste ëndrrat në mes.
Një masakër që tronditi qytetin
Ngjarja ndodhi në një lokal në pronësi të familjes Kalemi, ku një sulm i papritur me armë zjarri la të vdekur Shyqyri Kalemin (70 vjeç), Marsel Çelën dhe Gledian Mukën, ndërsa Artur Kalemi mbeti i plagosur.
Kamarieri fatkeq kishte kohë që punonte në lokal, duke pritur një shans për të ndërtuar një jetë të re. Ironia e fatit bëri që lajmërimi për lotarinë të mbërrinte kur ai nuk ishte më gjallë për ta përjetuar.
Ngjarja vijon të mbetet një nga episodet më të errëta në Memaliaj, ndërsa familja e Gledian Mukës ende kërkon drejtësi për djalin që nuk arriti kurrë të ndjekë ëndrrën e tij përtej oqeanit.