Në ceremoninë mortore të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, mbesa e tij, Roksana Janullatos, mbajti një fjalim prekës, duke kujtuar lidhjen e veçantë të të ndjerit me Shqipërinë. Ajo theksoi se Janullatos jetoi më shumë se 30 vite mes shqiptarëve, duke e konsideruar këtë vend si atdheun e tij të dytë.
“Lejomëni t’ju drejtohem vëllezërve të Shqipërisë. Vëllezërit e mi, në emër të familjes sonë, dua t’ju falënderoj për dashurinë që i keni dhënë xhaxhait tonë gjatë këtyre viteve,” tha ajo, duke nënvizuar se për familjen, ai ishte gjithmonë një mbështetje e fuqishme, qoftë me fjalën e tij, qoftë me lutjet e tij nga larg.
Një jetë e udhëhequr nga dashuria
Roksana Janullatos e përshkroi jetën e Kryepeshkopit si një rrugëtim të mbushur me dashuri, drejtësi, përulësi dhe guxim. Sipas saj, ai jetoi duke ndjekur parimin se dashuria nuk bën dallime mes racave, kombeve, shteteve apo feve.
“Perëndia është dashuri, dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndi, dhe Perëndia është me të,” theksoi ajo, duke i ftuar të pranishmit që të ndjekin shembullin e Janullatosit në përkushtimin ndaj të tjerëve.
Në përfundim të fjalës së saj, ajo përcolli një mesazh të shpresës dhe besimit, duke kujtuar traditën ortodokse: “Krishti u ngjall, vëllezërit e mi.”