Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe qeveria zvicerane ka vendosur të ndërpresë programet e ndihmave për zhvillimin e Shqipërisë. Vendimi vjen si pjesë e një rishikimi të shpenzimeve, pas miratimit të një buxheti më të kufizuar për ndihmën ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Zvicrës, programet e ndihmave do të ndërpriten edhe për Bangladeshin dhe Zambian. Ky vendim pason shkurtimin e 110 milionë frangave zvicerane nga buxheti i bashkëpunimit ndërkombëtar për vitin 2025 dhe një reduktim prej 321 milionë frangash për periudhën 2026-2028.
Më herët, edhe administrata amerikane kishte pezulluar ndihmat për Shqipërinë, si pjesë e një riorganizimi të prioriteteve të saj globale. Ky zhvillim ngre shqetësime mbi ndikimin që do të ketë në projekte të ndryshme sociale dhe ekonomike në vend.