Arrestimet e ish-ministrave, Rama: Ata që ishin një karrige larg meje, tani janë në duart e drejtësisë

0

Kryeministri Edi Rama ka folur në Kuvendin Rinor të Partisë Socialiste për Reformën në Drejtësi dhe për arrestimet e fundit të ish-ministrave dhe kryebashkiakëve socialistë nga SPAK. Ai theksoi se pa ndërhyrjen e qeverisë së tij, drejtësia nuk do të kishte arritur të ndëshkonte zyrtarët e lartë.

“Ata mund t’ju thonë se jemi një çetë hajdutësh, sepse ky dhe ai që deri dje ishin me ne, madje edhe një karrige më tutje nga unë, janë sot në duart e drejtësisë apo janë në kërkim nga drejtësia, por ju do t’i thoni vetes dhe të tjerëve se po të mos ishim ne socialistët që përdorëm pushtetin tonë për t’i dhënë pavarësinë drejtësisë, sot nuk do të kishte asnjë njeri të pushtetit të sotëm dhe të djeshëm para drejtësisë,” deklaroi Rama.

Sipas tij, Reforma në Drejtësi është ndërmarrë jo për të goditur kundërshtarët politikë, por për të ndërtuar një shtet të vërtetë ligjor. “Reformën në Drejtësi ne e bëmë siç e thamë jo për të luftuar kundërshtarët, por për t’u dhënë për herë të parë në histori shqiptarëve shansin real të ndërtimit të një shteti,” shtoi ai.

Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur SPAK ka ndërmarrë disa arrestime të ish-zyrtarëve të lartë, përfshirë ministra dhe kryebashkiakë të Partisë Socialiste, të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Pavarësisht përpjekjeve të tij për ta paraqitur këtë si një sukses të qeverisë, opozita e ka kritikuar procesin, duke akuzuar SPAK-un për veprime të njëanshme dhe të vonuara.

Reforma në Drejtësi ka qenë një nga çështjet më të debatuara në Shqipëri, me kundërshtime të forta nga opozita dhe mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Ndërkohë, qytetarët mbeten të ndarë mbi efektivitetin e saj dhe nëse ajo po çon realisht në ndëshkimin e korrupsionit në të gjitha nivelet.

Artikulli i mëparshëmRama: PS do të fitojë mandatin e katërt, opozita nuk ka asgjë për të ofruar
Artikulli i radhësMessi nuk dorëzohet: Ylli argjentinas synon pjesëmarrjen në Botërorin 2026