Një 41-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Tiranës, pasi akuzohet se ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme katër vajza të mitura. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, i arrestuari është identifikuar si I. K., banues në Fushë-Krujë.
Gjatë operacionit, autoritetet kanë proceduar në gjendje të lirë edhe një 35-vjeçar të identifikuar si F. K., i cili ndodhej si pasagjer në automjetin e përdorur nga i arrestuari.
Reagimi i Policisë
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 arrestuan në flagrancë shtetasin I. K., 41 vjeç, pasi ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme 4 shtetase të mitura. Në vijim të veprimeve, është proceduar në gjendje të lirë shtetasi F. K., 35 vjeç, pasagjer në automjetin me të cilin lëvizte 41-vjeçari i arrestuar,” thuhet në njoftimin e policisë.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit, ndërsa i dyshuari do të dalë para drejtësisë për veprimet e tij.