Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Nikël, ku një sasi eksplozivi është vendosur pranë portës së jashtme të banesës së shtetasit Sh. M., 51 vjeç. Fatmirësisht, lënda plasëse nuk ka shpërthyer dhe është konstatuar nga familjarët mëngjesin e djeshëm, teksa po largoheshin për në punë.
Sipas njoftimit të Policisë, eksplozivi ishte i përbërë nga dy kallëpe dhe një fitil zjarrpërcjellës. Pas sinjalizimit nga pronari i banesës, forcat e rendit ndërhynë menjëherë, duke sekuestruar materialin me cilësinë e provës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve të mundshëm.
Deri më tani, nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje, ndërsa fakti që policia e mbajti të fshehtë informacionin për një ditë ka ngritur dyshime mbi natyrën e hetimeve. Banorët e zonës janë të shqetësuar për sigurinë e tyre, duke kërkuar më shumë masa nga autoritetet për parandalimin e akteve kriminale.