Dy vëllezërit e gjetur të pajetë në fshatin Çorrush të Mallakastrës janë identifikuar si Sabri Velaj, 90 vjeç, dhe Novrus Velaj, 85 vjeç. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë asfiksia, ndërsa viktimat jetonin të vetëm në banesën e tyre.
Sipas njoftimit zyrtar, trupat e pajetë u gjetën rreth orës 11:00 në banesën e tyre, ndërsa nga hetimet paraprake nuk ka shenja të ndonjë ngjarjeje kriminale. Grupi hetimor po vijon punën për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e saktë të vdekjes.
Banorët e zonës janë tronditur nga kjo ngjarje, ndërsa familjarët dhe autoritetet lokale po bashkëpunojnë për të mbyllur procedurat hetimore dhe përgatitjet për ceremoninë mortore.