Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet mbi rastin tragjik të Alma Arrazit, e cila humbi jetën së bashku me tre fëmijët e saj duke u hedhur në lumin Buna.
Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka kërkuar 6 vite burg për bashkëshortin e saj, Ergys Arrazi, duke e akuzuar për shkaktimin e vetëvrasjes së saj. Gjykata pritet të ulë dënimin në 4 vite, pasi i pandehuri ka pranuar gjykimin e shkurtuar.
Detajet e ngjarjes
Më 5 maj të vitit të kaluar, Alma Arrazi, nënë e tre fëmijëve, mori një vendim tragjik duke u hedhur në ujërat e lumit Buna së bashku me fëmijët e saj. Trupat u gjetën disa ditë më vonë, pas një operacioni kërkimi nga polumbarët e RENEA.
Prokuroria ka argumentuar se Ergys Arrazi ka ushtruar një presion të vazhdueshëm psikologjik dhe e ka diskredituar dinjitetin e bashkëshortes së tij, duke e çuar drejt këtij akti të rëndë. Në akuzën e ngritur, ai konsiderohet përgjegjës për veprimet që e shtynë Alma Arrazin drejt vetëvrasjes dhe për pasojë, vdekjes së tre fëmijëve të mitur.
Nga hetimet rezultoi se nuk ka pasur persona të tjerë të përfshirë në ngjarje, për këtë arsye akuza për vrasje është pushuar, pasi fëmijët humbën jetën së bashku me nënën e tyre.
Tashmë, pritet vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër pas mbrojtjes që do të paraqesin avokatët e të akuzuarit.