Tensionet mbi kontrollin e agjencive federale në SHBA u përshkallëzuan pas pezullimit të dy zyrtarëve të lartë të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), të cilët tentuan të ndalonin hyrjen e përfaqësuesve të Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), një strukturë e krijuar nga Elon Musk.
Incidenti ndodhi në selinë e USAID në Washington, D.C., ku përfaqësuesit e DOGE kërkuan qasje në sistemet e sigurisë dhe dosjet e personelit të agjencisë. Sipas burimeve të CNN, tensionet arritën kulmin kur DOGE kërcënoi të thërriste marshallët federalë për të siguruar hyrjen në ndërtesë.
Lëvizja e DOGE, një ent i lidhur ngushtë me administratën Trump, vjen në kuadër të përpjekjeve për të ulur shpenzimet federale dhe për të zvogëluar ndikimin e agjencive të pavarura si USAID. Senatori demokrat Jeanne Shaheen e cilësoi incidentin si “jashtëzakonisht serioz dhe të paprecedentë,” duke kërkuar një hetim urgjent mbi ndikimin e tij në sigurinë kombëtare.
Elon Musk, në një reagim të ashpër, e quajti USAID-in “një organizatë kriminale” dhe shtoi se “është koha që të mbyllet.” Administrata Trump po shqyrton mundësinë e shpërbërjes së USAID-it dhe bashkimit të saj me Departamentin e Shtetit, një lëvizje që ka shkaktuar reagime të forta mes ligjvënësve dhe komunitetit ndërkombëtar të ndihmës.
Pas këtyre zhvillimeve, faqja zyrtare e USAID-it u bë e paaksesueshme, dhe një version i ri u shfaq në platformën e Departamentit të Shtetit. Pezullimi i ndihmës ndërkombëtare për 90 ditë, i urdhëruar nga Trump, ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në programet humanitare, duke ngritur shqetësime mbi ndikimin global të këtyre masave.
Ligjvënësit demokratë po argumentojnë se shpërbërja e USAID-it pa miratimin e Kongresit do të ishte e paligjshme, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për pasojat e rënda të eliminimit të një prej instrumenteve kryesore të diplomacisë dhe ndihmës ndërkombëtare të SHBA-së.