Ahmetaj sfidon Ramën: “Nuk jam zar! Nuk do të më përdorni për të mbuluar të vërtetën”

0

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar ashpër ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama në një lidhje telefonike në emisionin Çim Peka Live në Syri TV. Ai theksoi se nuk është një “zar” në duart e politikanëve dhe akuzoi qeverinë për përdorimin e tij si një kurban politik.

Ahmetaj deklaroi se ai dhe familja e tij po i nënshtrohen një “masakre”, ndërsa mohoi çdo përfshirje në tenderat e rindërtimit pas tërmetit. Sipas tij, qeveria po e shfrytëzon këtë situatë për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta.

“Nuk jam zar i Berishës, Nanos apo Ramës. Nuk e kam për natyrë të jem zar. Nuk kam bërë asnjë tender te rindërtimi dhe nuk kam gënjyer shtetin. A duhet të shkoj unë në burg që Shqipëria të integrohet në Europë?”, u shpreh Ahmetaj me tone të forta.

Akuzat kundër Ramës: “Mbron Veliajn dhe Becin”

Ahmetaj akuzoi kryeministrin Edi Rama se po del publikisht me Erion Veliajn dhe Benet Becin, duke u dhënë atyre mbështetje të hapur, ndërkohë që për të, ai ka vetëm akuza.

“Kreu i organizatës del me Erion Veliajn dhe Benet Becin dhe thotë këta kanë mbështetjen time. Ndërsa për mua thotë: ‘Po të ishte ky prokuror, unë do ta kisha shumë më keq’.”

Ai sugjeroi se qeveria po negocion me të vërtetën dhe po manipulohet realiteti për interesa politike.

“Pres masakër, por nuk do të hesht”

Duke u shprehur se ai nuk ka çfarë të kërkojë nga “kreu i organizatës”, Ahmetaj tha se pret një goditje të fortë ndaj tij, por nuk ka ndërmend të heshtë.

“E vërteta është një proces. Unë kam procesin tim të analizimit të të gjitha fakteve dhe dokumenteve. Nuk e shtrembëroj të vërtetën dhe nuk bëj llogari me të.”

Ish-zv.kryeministri përfundoi duke theksuar se Shqipëria nuk e meriton të ndodhet në këtë situatë dhe se ai do të vazhdojë të mbrojë veten, familjen dhe miqtë e tij nga ajo që e quajti një “gjueti shtrigash”.


Për më shumë detaje mbi këtë çështje, ndiqni zhvillimet në Syri.net.

Artikulli i mëparshëmBerisha në Gjermani, takon Friedrich Merz në Kongresin e CDU
Artikulli i radhësDebat i ashpër mbi SPAK: Anila Hoxha kundërshton avokatin Rumano për presionin ndaj GJKKO