Një seri tërmetesh të fuqishme ka goditur ishullin e Santorinit gjatë pesë ditëve të fundit, duke shkaktuar frikë dhe largimin masiv të banorëve dhe turistëve. Sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane dhe Mesdhetare, janë regjistruar mbi 555 tërmete, disa prej të cilëve me magnitudë deri në 4.9 të shkallës Rihter.
Situata ka shkaktuar panik, duke detyruar mijëra qytetarë të largohen nga ishulli me tragete dhe avionë, ndërsa radhët për biletat e transportit janë kilometrike. Pamjet e frikshme të rrëshqitjeve të dheut dhe çarjeve në tokë kanë rritur shqetësimin për një shpërthim të mundshëm vullkanik.
Ekspertët sizmologë po monitorojnë situatën dhe paralajmërojnë se aktiviteti sizmik mund të zgjasë edhe për disa javë. Profesori Efthymios Lekkas theksoi se, ndonëse një tërmet i fuqishëm si ai i vitit 1956 është i pamundur, lëkundjet mund të përshkallëzohen.
Ndërkohë, porti i ishullit është në kaos për shkak të fluksit të madh të largimeve, ndërsa linjat ajrore kanë shtuar fluturimet për të përballuar kërkesën e lartë për bileta. Situata mbetet e tensionuar, me autoritetet që vijojnë të ndjekin zhvillimet në ishullin grek të njohur për turizmin e tij.