Rama: Administrata publike nuk po ecën siç duhet për integrimin në BE

0

Kryeministri Edi Rama shprehu pakënaqësinë e tij mbi ecurinë e administratës publike, duke e cilësuar si një pengesë për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Gjatë një konference mbi raportin e OECD/SIGMA për prokurimet digjitale, ai tha se vlerësimet pozitive janë inkurajuese, por jo të mjaftueshme për të krijuar një administratë të denjë për BE-në.

Rama theksoi se Shqipëria është në një pozicion më të avancuar se vendet e tjera të rajonit, por administrata publike ka ende shumë për të bërë. Ai kritikoi ngadalësinë në menaxhimin e institucioneve dhe vuri në dukje se edukimi institucional dhe vullneti politik janë thelbësore për reformimin e sektorit publik.

Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se, megjithëse Shqipëria ka një popullsi pro-evropiane dhe një mbështetje të fortë për reformat, administrata publike ende përballet me pasiguri dhe mungesë efektiviteti. Ai e lidhi këtë me reformat në drejtësi dhe theksoi nevojën për një administratë më të përgjegjshme dhe të aftë për të zbatuar vendimet në përputhje me legjislacionin evropian.

“Jam i palumtur me mënyrën sesi kemi ecur në menaxhimin e administratës publike. Kemi shumë punë për të bërë dhe do ta mirëpresim çdo financim në dije,” u shpreh Rama. Ai shtoi se frika nga reformat po çon në tkurrjen e administratës dhe një ndjenjë pasigurie tek punonjësit, një problematikë që, sipas tij, duhet adresuar në bashkëpunim me BE-në.

Artikulli i mëparshëmMilani mbyll një merkato spektakolare me katër afrime në ditën e fundit