Eurodeputeti Fredi Beleri ka nxitur debate të ashpra në Parlamentin Europian pas vendimit për të mbështetur kandidaturën e Fidias Panayiotou, një youtuber qipriot dhe i preferuar i Elon Musk, për postin e nënkryetarit të Komitetit të Posaçëm “Mburoja për Demokracinë Evropiane.”
Beleri, pjesë e Demokracisë së Re, doli kundër linjës së partisë së tij dhe propozoi kandidatin qipriot me argumentin se “ai është grek.” Megjithatë, kandidatura e Panayiotou dështoi, duke humbur 33-21 përballë një kandidati socialist.
Kjo lëvizje shkaktoi reagimin e ashpër të eurodeputetit të SYRIZA-s, Kostas Arvanitis, i cili e akuzoi Demokracinë e Re për aleanca me të djathtën ekstreme dhe ndikim nga Elon Musk. Po ashtu, Elise Vozeberg, kryetarja e grupit të eurodeputetëve të Demokracisë së Re, deklaroi se veprimi i Belerit ishte personal dhe nuk përputhej me qëndrimin e partisë.
Beleri e justifikoi vendimin e tij duke thënë se zgjedhja bazohej vetëm në “origjinën greke” të Panayiotou, ndërsa Elon Musk mbështeti publikisht kandidatin e tij në platformën ‘X,’ duke e quajtur “të zgjuar, të palëkundur dhe të përkushtuar ndaj njerëzve.”
Kjo ngjarje ka nxitur kritika dhe debat brenda politikës greke dhe Parlamentit Europian për ndikimet dhe qëndrimet që shfaqen në zgjedhje të tilla të rëndësishme.