Një konflikt i lindur për shitjen e një automjeti ka përfunduar me plagosjen me thikë të një 40-vjeçari në Korçë. Viktima, Ergys Shtylla, u sulmua mbrëmjen e djeshme dhe u dërgua me urgjencë në spital, ku ndodhet në repartin e reanimacionit.
Pas hetimeve të para, policia ka arritur të identifikojë autorin e sulmit, 39-vjeçarin me iniciale D.M., i cili aktualisht është në arrati. Sipas dëshmisë së dhënë nga i plagosuri, konflikti ka lindur për arsye të dobëta, të lidhura me shitjen e automjetit. Megjithatë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, Shtylla nuk ka mundur të japë shumë detaje.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa autori është shpallur në kërkim dhe priten zhvillime të mëtejshme në lidhje me arrestimin e tij.