Vendimi i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të pezulluar ndihmat për SPAK-un ka shkaktuar një krizë identiteti për institucionin që supozohej të ishte shtylla e reformës në drejtësi në Shqipëri. SPAK, i krijuar nën mbikëqyrjen e Uashingtonit dhe financuar me fonde amerikane, tashmë gjendet në një situatë të pasigurt, ku mbështetja financiare dhe politike nga jashtë përcakton funksionimin e tij.
Nga Amerika te Europa: Kujt i shërben SPAK-u?
SPAK, i cili për vite me radhë është prezantuar si një institucion i pavarur, e ka bazuar suksesin e tij jo vetëm te rezultatet konkrete, por edhe te perceptimi i fuqisë së mbështetësve ndërkombëtarë. Me pezullimin e fondeve amerikane, kjo platformë propagandistike ka pësuar një goditje të fortë.
Pikërisht në këtë moment, në skenë hyn Bashkimi Europian, duke premtuar se SPAK nuk do të mbetet jetim. Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka konfirmuar se Brukseli do të vazhdojë mbështetjen financiare dhe teknike për institucionin.
Nga urdhrat amerikanë te fondet europiane
Nëse më parë thuhej se pas çdo hetimi të SPAK fshihej një urdhër nga Uashingtoni, tani pritet të thuhet se pas çdo vendimi janë fondet e BE-së. Me fjalë të tjera, kur ndryshojnë sponsorët, ndryshon edhe qasja.
Një SPAK “made in Albania”? Jo ende!
Ajo që mbetet për t’u parë është nëse ky institucion do të veprojë realisht i pavarur, apo do të vazhdojë të funksionojë si një strukturë që varet nga “orientimet e jashtme me zbatime të brendshme” Nëse edhe BE-ja do të tërhiqej një ditë, SPAK-u do të mbetej siç është në të vërtetë: një produkt shqiptar për shqiptarët, me shqiptarët… dhe ndoshta, për disa shqiptarë të caktuar.