Blegtorët kanë dalë sot në protestë në zonën e Urës së Kardhiqit, duke bllokuar qarkullimin në aksin kombëtar Kardhiq-Delvinë. Ata shprehen të revoltuar për uljen drastike të çmimit të qumështit, duke akuzuar qeverinë dhe bizneset se po abuzojnë me mundin e tyre.
Kërkesat e blegtorëve
Blegtorët i janë drejtuar Ministrisë së Bujqësisë me disa kërkesa kyçe, përfshirë:
- Vendosjen e një çmimi tavan për qumështin.
- Dyfishimin e subvencioneve për blegtorinë.
- Transparencë në ndarjen e kullotave.
- Ndërtimin e veprave ujore për përmirësimin e kushteve të blegtorisë.
Protestuesit thonë se nuk kanë marrë pagesat e premtuara nga shteti për dy muaj, ndërsa ndërmarrjet e qumështit vazhdojnë të ulin çmimin e blerjes, duke e bërë të pamundur mbijetesën e fermave të tyre.
“Nuk mund të punojmë për të tjerët”
Një nga blegtorët e revoltuar u shpreh:
“Punojmë natë e ditë dhe kafshët i kemi lënë brenda, ndërsa çmimet ulen nga ora në orë. Kemi dy muaj që japim qumësht dhe ende nuk kemi marrë asnjë pagesë. Nga vjet deri sivjet, çmimi ka rënë me 30 lekë. Është gjynah të tallen me mundin tonë. Përfitojnë pesë veta, ndërsa 500 punojnë kot!”
Lexo edhe:
Leyton Orient surprizon City-n, Donley shënon një supergol
Ata kërkojnë që qeveria të ndërhyjë për të rregulluar çmimet dhe për të siguruar që subvencionet të shpërndahen në mënyrë të drejtë. Në të kundërt, paralajmërojnë se do të vazhdojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
A po shkatërrohet blegtoria në Shqipëri?
Rënia e çmimit të qumështit dhe mungesa e mbështetjes shtetërore po detyron shumë fermerë të braktisin blegtorinë. Nëse situata nuk ndryshon, Shqipëria rrezikon të humbasë një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë rurale, duke e bërë vendin më të varur nga importet dhe duke rritur emigracionin në zonat rurale.
Qeveria ende nuk ka reaguar zyrtarisht për këtë protestë, ndërsa blegtorët paralajmërojnë se do të vazhdojnë bllokimin e rrugëve derisa të marrin përgjigje.