![](https://aktualitet.al/wp-content/uploads/2025/02/sali-berisha-selia-e-pd905399149771230026-1024x682.jpg)
Protesta e fundit e thirrur nga opozita, vetëm tre muaj para zgjedhjeve, shënoi një tjetër pikë kthese në përpjekjet e Partisë Demokratike për të treguar forcën dhe mobilizimin e saj. Megjithatë, ajo që duhej të ishte një manifestim i fuqisë politike dhe revoltës popullore, u shndërrua në një dëshmi të mungesës së vizionit dhe energjisë së opozitës.
Opozita nuk arriti të ngjallë entuziazëm apo të përcjellë mesazhin e një alternative të besueshme. Protesta nuk shfaqi as frymë, as revoltë, duke krijuar perceptimin e një opozite të dorëzuar që përballet me presionin e Edi Ramës pa strategji dhe pa zëra të rinj.
Një aspekt i dukshëm ishte mungesa e drejtuesve kryesorë të Partisë Demokratike në promovimin e kësaj proteste. Në vend që të kishte një përpjekje të koordinuar për të sjellë figura të reja dhe për të forcuar opozitën, protesta u la në hije nga një organizim i dobët dhe një mungesë e theksuar e mesazhit politik. Nëse vetë opozita nuk arrin të bindë mbështetësit e saj për domosdoshmërinë e një revolte politike, atëherë si mund të shpresojë të bindë votuesit e pavendosur?
Për më tepër, figura kryesore e opozitës, Sali Berisha, duket i lodhur nga mosha dhe nga pesha e viteve të gjata në politikë. Nëse protesta duhej të ishte një tregues i fuqisë së opozitës, fakti që pas tij u shfaq Flamur Noka si figura më me peshë tregon më shumë për krizën e lidershipit sesa për fuqinë e një opozite të gatshme për betejë.
Në këtë kontekst, duket se opozita po shkon drejt një disfate të paralajmëruar, jo vetëm për shkak të sfidave politike që i vijnë nga kundërshtari i saj politik, por edhe për shkak të mungesës së një strategjie të qartë dhe një lidershipi që mund të frymëzojë votuesit. Me këtë qasje, gara duket e humbur pa nisur ende.