Protesta e PD: Kryeministria e blinduar, 1200 forca policie në terren

0

Policia e Tiranës ka marrë masa të rrepta sigurie për protestën e paralajmëruar nga Partia Demokratike para Kryeministrisë, e cila pritet të nisë në orën 17:00. Sipas burimeve, mbi 1200 efektivë, përfshirë forcat e rendit, FNSH, njësinë speciale Shqiponjat, si dhe RENEA, do të jenë në gatishmëri për mbarëvajtjen e tubimit.

Për të garantuar sigurinë, Garda e Republikës është angazhuar me kapacitet të plotë, ndërsa të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz. Për të përballuar çdo skenar të mundshëm, janë vendosur 5 autobotë me ujë dhe është krijuar një kordon sigurie rreth Kryeministrisë. Dyert e institucionit janë blinduar me veshje metalike, ndërsa përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë instaluar kamera me rezolucion të lartë për monitorim.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Ilir Proda, ka zhvilluar një takim me vartësit e tij, duke dhënë udhëzime për mosprovokim nga protestuesit dhe ndërhyrje minimale vetëm në raste të nevojshme. Ndërkohë, agjentët civilë do të jenë të shpërndarë në terren për të vëzhguar situatën në mënyrë të detajuar.

Mbetet për t’u parë dinamika e protestës dhe reagimi i forcave të rendit gjatë zhvillimit të saj.

Artikulli i mëparshëmTiranë: Mashtrimi ndaj biznesmenit, arrestohet 32-vjeçari – Sekuestrohen 4700 euro
Artikulli i radhësRama ironizon protestën e PD: “Bufi i kënetës opozitare”