![](https://aktualitet.al/wp-content/uploads/2025/02/IMG_7340.webp)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në Kosovë. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Kurti ka votuar në një nga qendrat e votimit në Prishtinë dhe më pas ka dhënë një mesazh për qytetarët.
“Ditë e re dhe mot me diell për zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në shtetin e pavarur të Kosovës. I falënderoj qytetarët që kanë votuar dhe inkurajoj çdonjërin që të votojë. Ushtrojeni të drejtën demokratike për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet, përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për 4 vitet e ardhshme. Gëzuar dhe suksese,” deklaroi Kurti pas votimit.
Më herët, dy kandidatët e tjerë për postin e kryeministrit, Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-NISMA dhe Bedri Hamza nga PDK, gjithashtu kanë votuar dhe i kanë bërë thirrje qytetarëve të dalin në votime.
Zgjedhjet e sotme shënojnë një moment të rëndësishëm për Kosovën, ndërsa qytetarët vendosin për përfaqësuesit e tyre në Kuvendin 120-vendesh. Procesi zgjedhor po zhvillohet në të gjithë vendin, ndërsa pritet që votimi të përfundojë në orën 19:00.