![](https://aktualitet.al/wp-content/uploads/2025/02/img_74535906579974194814047.jpeg)
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish mbi arrestimin e Erion Veliajt, duke e cilësuar procesin si të pazakontë dhe duke pretenduar se janë intimiduar persona të artit dhe kulturës gjatë hetimeve. Në një bisedë me ndjekësit në rubrikën “Sy më sy”, Rama shprehu shqetësimin e tij për mënyrën se si është trajtuar kjo çështje.
Rama: “Procesi nisi nga një novelë anonime”
Sipas Ramës, hetimi ndaj Veliajt ka nisur nga një “novelë anonime” e dorëzuar në SPAK, e cila është kthyer në një dosje voluminoze. Ai e cilësoi këtë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj kryebashkiakut, duke akuzuar drejtësinë se ka vepruar në mënyrë të pabalancuar.
“Gjykatësi ka vendosur t’i presë kokën Bashkisë së Tiranës pa gjyq. Ky është një proces shumë i çuditshëm,” – tha Rama.
Shqetësimi për fëmijën e Veliajt dhe krahasimi me raste të tjera
Rama u ndal edhe tek vendimi për arrest shtëpie për Ajola Xoxën, bashkëshorten e Veliajt, duke e cilësuar të padrejtë që një nënë me një fëmijë 6-vjeçar të vendoset në arrest, ndërsa kryebashkiaku ndodhet në paraburgim.
“Kush do ta çojë dhe ta marrë nga shkolla fëmijën? Kush do t’i sigurojë ushqim? Ky është një trajtim që nuk është përdorur në raste të tjera,” – u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se drejtësia po vepron me standarde të dyfishta.
Rama: Nuk do të hesht më ndaj reformës në drejtësi
Në vijim të deklaratave të tij, Rama theksoi se mbështetja për drejtësinë do të vazhdojë, por nuk do të heshtë më ndaj “të metave dhe trajtimeve të padrejta”. Ai la të kuptohet se deri më tani ka qëndruar në heshtje për të mbrojtur pavarësinë e institucioneve, por tashmë do të flasë hapur për kritikat ndaj procesit.
Ky qëndrim tregon një ndryshim të dukshëm në retorikën e Ramës, duke ngritur pyetje mbi raportin e tij me SPAK dhe mbi ndikimin e arrestimit të Veliajt në skenën politike shqiptare.