Dhunë në Sarandë: Sulmohet brutalisht kreu i Operatorëve Turistikë, një i arrestuar dhe një në kërkim

0

Një sherr i dhunshëm ka ndodhur të premten në Sarandë, ku është sulmuar brutalisht Arben Çipa, kreu i Operatorëve Turistikë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:10, në zonën e njohur si “Rruga për në Heremec”, ku Çipa është goditur nga dy persona, duke pësuar dëmtime të rënda.

Çipa: Më goditën me grushte dhe sende të forta

Në një video të publikuar nga vetë Çipa, ai tregon se sulmi ka ndodhur pas një debati mbi një projekt për të cilin një nga agresorët ishte bërë pengesë. Sulmuesit janë identifikuar si Diomet Musai, administrator i një klubi nate të quajtur “Four Elements”, dhe nipi i tij Markeljan Musai, 29 vjeç.

“Njëri prej tyre, Dio, më ndaloi në rrugë dhe filloi të diskutojë për një çështje ku ai ishte bërë pengesë për një projekt timin. Më pas, së bashku me një person tjetër, më sulmuan me grushte dhe gurë brenda makinës sime. Tentova të mbrohem, por ishte e pamundur,” – tregon Çipa, i cili shfaqet i gjakosur dhe me shenja të dukshme dhune.

Policia arreston njërin nga autorët, tjetri në kërkim

Policia ka reaguar menjëherë dhe ka bërë të mundur arrestimin e Diomet Musait, 37 vjeç, i cili është kapur në fshatin Lukovë, ku ishte fshehur pas ngjarjes. Ndërkohë, vijon kërkimi për Markeljan Musain, i cili është shpallur në kërkim si bashkëautor.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, Diomet Musai ka precedent penal për krime ndaj personit, ndërsa dyshimet janë se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.

“Dy autorët, xhaxha dhe nip, më datë 21.02.2025, rreth orës 16:10, në lagjen nr. 3 të Sarandës, për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, shkelma dhe sende të forta shtetasin A. Çipa, 52 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.”

Policia ka referuar materialet në Prokurori për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.

Artikulli i mëparshëmDalin në rrjet fotot e Klotilda Bushkës në zyrën e Ajola Xoxës/ Shtohen dyshimet për intimidim dëshmitarësh
Artikulli i radhësCoca Cola skandal në Shqipëri: Pijet e skaduara pa gjurmë – Çfarë fshihet pas?