
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dalë hapur në mbrojtje të biznesmenit Shkëlqim Fusha, i njohur si një nga oligarkët kryesorë në ndërtim dhe projekte publike në kryeqytet. Veliaj, i cili aktualisht ndodhet në burgun e Durrësit, ka kritikuar prokurorin dhe gjyqtarin që po merren me çështjen e tij dhe të bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, duke mbrojtur hapur Fushën.
Lidhja mes Veliajt dhe Fushës: Kontrata, tendera dhe leje ndërtimi
Hetimet e fundit kanë zbuluar se Shkëlqim Fusha ka përfituar miliona euro nga kontratat publike të dhëna nga Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Veliajt. Dokumentet gjyqësore konfirmojnë se kompania “Fusha sh.p.k.” ka marrë leje ndërtimi, tendera për mirëmbajtje, pastrojë qytetin, dhe ka përfituar fonde të mëdha për projektet e rikualifikimit urban.
Sipas dosjes hetimore, kompania Fusha sh.p.k. ka marrë:
- Leje ndërtimi më 23 nëntor 2020 për një pronë në Yrshek.
- Pagesa për rikualifikimin urban të Sheshit “Skënderbej”, ku kërkoi 58.7 milionë lekë për garancinë e punimeve.
- Kontratën për pastrimin e qytetit në Llotin IV të shpallur nga Bashkia e Tiranës, vetëm disa ditë pas miratimit të lejes së ndërtimit.
- Pagesa direkte për OJF-të e drejtuara nga Ajola Xoxa, ku dy subjekte private, të lidhura me Xoxën, faturuan 2.67 milionë lekë, duke ia kaluar më pas gjysmën organizatës “Harabel.”
Një rrugë në Tiranë mban emrin e Shkëlqim Fushës
Përtej përfitimeve të drejtpërdrejta, lidhja mes Veliajt dhe Fushës është aq e fortë sa kryebashkiaku i ka vendosur emrin e tij një rruge në Tiranë. Ndërsa zakonisht rrugët emërtohen pas vdekjes së një personaliteti, Veliaj ka bërë një përjashtim për oligarkun, duke e nderuar “për merita të mëdha” gjatë jetës.
Veliaj avokat i Çim Fushës: Mbrojtja e hapur për oligarkun
Në mbrojtjen e tij nga burgu, Veliaj e quajti Fushën një biznesmen të ndërtuar dhe akuzoi prokurorin e çështjes për një “proces të montuar”. Ndërkohë, dokumentet gjyqësore dhe hetimore nxjerrin në pah një skemë të gjerë përfitimesh mes Bashkisë së Tiranës, kompanisë së Fushës dhe organizatave të drejtuara nga Ajola Xoxa.
Kjo lidhje e fortë mes Veliajt dhe oligarkut Çim Fusha tregon për një marrëdhënie që shkon përtej interesave biznesore, duke ngritur dyshime për një skemë të mirëorganizuar të favorizimeve dhe përfitimeve financiare.