
Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Kamëz, në zonën e njohur si ‘Rrethi i Bathores’, por fatmirësisht nuk ka të lënduar. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30, kur një automjet në lëvizje u qëllua nga një tjetër makinë.
Të shtëna me armë në rrugën “New York”
Sipas policisë, një automjet në lëvizje është bërë shënjestër e të shtënave me armë nga një tjetër mjet. Autorët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa në terren janë gjetur një gëzhojë dhe prova të tjera.
“Nuk ka të lënduar në njerëz. Shërbimet e Policisë kanë bërë rrethimin e zonës dhe vijojnë kontrollet për gjetjen e automjetit dhe kapjen e autorit,” – njofton policia.
Pista kryesore: Konflikt mes dy personave
Gazetari Sokol Dema ka raportuar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes dy personave. Njëri prej tyre është larguar me makinë, ndërsa tjetri e ka ndjekur dhe ka qëlluar drejt tij me armë.
Policia ka nisur verifikimin e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët dhe ka ngritur pika kontrolli për ndalimin e automjetit të dyshuar.
Hetimet në vijim
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Deri tani, nuk është bërë asnjë arrestim.