
Gjendja shëndetësore e papës Françesku është përkeqësuar ndjeshëm, duke ngritur shqetësim në mbarë botën katolike dhe më gjerë. Vatikani ka konfirmuar se ai ka kaluar një krizë respiratore astmatike të zgjatur, që ka kërkuar trajtim me oksigjen në fluks të lartë për të përmirësuar frymëmarrjen.
Gjendja kritike dhe ndërhyrjet mjekësore
Sipas burimeve zyrtare, papa po përballet gjithashtu me anemi, ndaj gjatë ditës së sotme ka marrë një transfuzion gjaku për të stabilizuar gjendjen e tij.
“Papa është vigjilent, por ndjen më shumë dhimbje se një ditë më parë,” – thuhet në deklaratën e Vatikanit.
Ekipi mjekësor që po e trajton atë është duke ndjekur nga afër zhvillimet dhe duke vlerësuar nëse do të jenë të nevojshme ndërhyrje të tjera mjekësore.
Ndikimi në axhendën e Vatikanit
Për herë të tretë në 12 vite papati, papa Françesku nuk do të mbajë lutjen javore të Angelus, duke shtuar shqetësimet për gjendjen e tij shëndetësore.
Ndërkohë, besimtarët në mbarë botën po dërgojnë mesazhe lutjeje dhe solidariteti për atin e shenjtë, ndërsa Vatikani pritet të japë përditësime të mëtejshme mbi ecurinë e trajtimit të tij.