Tragjedia në Shkodër: Fëmija 3-vjeçar ndërron jetë, motra e tij në gjendje kritike

0

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën, ku një fëmijë 3-vjeçar ka ndërruar jetë vetëm 10 minuta pasi mbërriti në spital, ndërsa motra e tij ndodhet në gjendje kritike në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT).

Sipas njoftimit nga spitali i Shkodrës, vogëlushi ishte paraqitur në gjendje të rënduar shëndetësore, me insuficiencë kardiake dhe shenja jetësore shumë të ulëta. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t’i mbijetonte situatës.

Vetëm pak më vonë, edhe motra e tij u paraqit në spital me simptoma të ngjashme dhe pas dhënies së ndihmës së parë u transportua me urgjencë në QSUT. Mjekët e spitalit të Shkodrës dyshojnë për helmim në gjak, por analizat janë dërguar në laboratorët e toksikologjisë në Tiranë për konfirmim të mëtejshëm.

Ndërkohë, gjendja e nënës së dy fëmijëve, e cila është 37 javëshe shtatzënë, mbetet e paqartë, pasi ajo ende nuk është paraqitur në spital për kontrolle mjekësore.

Sipas raportimeve, familja kishte dërguar fëmijën në spital edhe një ditë më parë, duke kërkuar që t’i bëhej vetëm një serum, ndonëse mjekët i kishin këshilluar që të shtrohej për trajtim të specializuar. Ditën tjetër, kur u rikthyen me të dy fëmijët, situata ishte përkeqësuar ndjeshëm, duke çuar në humbjen e jetës së vogëlushit.

Hetimet për këtë ngjarje të rëndë po vijojnë, ndërsa ekspertët e shëndetësisë dhe autoritetet përkatëse po punojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të kësaj tragjedie.

Artikulli i mëparshëmVeliaj Këmbëngul: “Prokurori më quajti ndyrësirë”/ Gjykata përgënjeshtron deklaratat
Artikulli i radhësSHBA dhe Rusia votojnë kundër rezolutës ukrainase në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së