
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka riafirmuar mbështetjen e BE-së për SPAK dhe reformën në drejtësi, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë dhe llogaridhënies në funksionimin e një shoqërie demokratike.
Në deklaratën e tij, Gonzato theksoi se arkitektura e reformës në drejtësi duhet të mbështetet me besim nga të gjithë aktorët dhe se BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë në këtë proces.
“Do të vazhdojmë punën me SPAK dhe me drejtësinë. Duhet të kemi besim te reforma në drejtësi. Pavarësia dhe llogaridhënia janë në themel të çdo shoqërie demokratike. Kemi parë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar, atij kibernetik dhe financiar, dhe do të vazhdojmë të japim mbështetje për këtë reformë,” tha ambasadori.
Deklarata e Gonzatos vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, ku SPAK ka ndërmarrë disa operacione të mëdha kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BE-ja mbetet një aleat kyç në fuqizimin e institucioneve të drejtësisë dhe në përpjekjet për një shtet ligjor më të fortë.