Gjyqtari Erjon Bani: Drejtësia është një shërbim, GJKKO punon me gjysmën e kapaciteteve

0

Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Erjon Bani, ka deklaruar se drejtësia është një shërbim për qytetarët dhe se institucioni që ai përfaqëson është i përkushtuar për të garantuar transparencë dhe vendime të drejta.

Gjatë një tryeze për Demokracinë dhe Qeverisjen, ai ka theksuar se GJKKO ka mbi 1400 vendime të dhëna nga viti 2020 deri në vitin 2024, por aktualisht operon me gjysmën e kapaciteteve të saj, çka përbën një sfidë serioze për sistemin e drejtësisë.

“Drejtësia është një shërbim dhe GJKKO është e hapur për ta ofruar këtë shërbim në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi pothuajse me gjysmën e kapaciteteve të gjyqtarëve, por po punojmë me angazhim të plotë për të garantuar një sistem gjyqësor efikas,” u shpreh Bani.

Ai gjithashtu vuri në dukje transparencën e vendimeve të GJKKO, duke theksuar se të gjitha vendimet mund të gjenden online në gjykata.gov.al, duke garantuar akses të plotë për publikun dhe institucionet e tjera.

Bani falënderoi gjithashtu partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e dhënë në forcimin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

Artikulli i mëparshëmVilma Nushi paraqitet në Gjykatën e Posaçme Anti-Korrupsion
Artikulli i radhësAltin Dumani: Epoka e paprekshmërisë po lëkundet, SPAK ka kryer hetime të guximshme kundër zyrtarëve të lartë