
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj masave të sigurisë të lëshuara nga SPAK për stafin dhe pedagogët e Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), duke i cilësuar ato si të ekzagjeruara dhe të dëmshme për imazhin e institucionit.
Sipas Ramës, ndërhyrja e forcave speciale në universitet ishte e pajustifikuar dhe krijoi një perceptim të gabuar për një institucion akademik. “Shkuan në universitet sikur hynë në fshatin e Corleones,” u shpreh ai, duke kritikuar mënyrën se si është trajtuar kjo çështje nga organet e drejtësisë.
Ai theksoi se vendimi për të vendosur 24 masa sigurie ka dëmtuar marrëveshjet ndërkombëtare të universitetit, veçanërisht bashkëpunimin me Universitetin BOKU të Vjenës. “Iu dha një shqelm një marrëveshjeje të rëndësishme. Unë vetë shkova si lyps në Universitetin e BOKU-t për të siguruar këtë partneritet,” tha Rama, duke nënvizuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri.
Kryeministri argumentoi se çdo person i përfshirë në abuzime duhet të mbajë përgjegjësi, por drejtësia nuk mund të veprojë me një qasje që penalizon të gjithë institucionin. “Nuk mund të nisemi nga ideja se çdo person është i fajshëm dhe duhet të provojë pafajësinë e tij,” tha ai, duke theksuar se parimi themelor i drejtësisë duhet të mbetet “më mirë dhjetë fajtorë të lirë sesa një i pafajshëm në burg.”
Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur SPAK ka ndërmarrë një operacion të gjerë kundër abuzimeve me tenderat në UBT, duke arrestuar disa zyrtarë dhe duke vendosur masa sigurie për të tjerë. Megjithatë, kryeministri thekson se kjo situatë nuk duhet të bllokojë funksionimin e universitetit dhe të dëmtojë projektet e tij për të ardhmen.