
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj masave të sigurisë të vendosura ndaj stafit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke i cilësuar ato si të nxituara dhe të ekzagjeruara. Sipas tij, vendimi për 24 masa sigurie është “marramendës” dhe nuk ka asnjë arsye për një veprim të tillë kundër një institucioni të arsimit të lartë.
Rama shprehu shqetësimin e tij për ndikimin që kjo situatë mund të ketë tek partnerët ndërkombëtarë të universitetit, veçanërisht për marrëveshjet me institucionet arsimore austriake. Ai theksoi se, nëse ka pasur abuzime, individët e përfshirë duhet të përballen me drejtësinë, por pa dëmtuar funksionimin e universitetit.
“Kjo nuk duhet të kthehet në një goditje për institucionin. Drejtësia duhet të bëjë punën e saj, por puna e universitetit nuk mund të bllokohet,” deklaroi Rama. Ai shtoi se procedurat e hetimit duhet të jenë të balancuara dhe të mos krijojnë një imazh negativ të panevojshëm për institucionet e arsimit të lartë në vend.