
Kreu i Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), Altin Dumani, ka deklaruar se goditja ndaj fuqisë ekonomike të krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë ka shënuar përparim të ndjeshëm.
Në një deklaratë për mediat, ai bëri një bilanc për vitin 2024, duke theksuar se SPAK ka sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë 59 milionë euro, duke përfshirë kriptovaluta, të cilat sipas tij po përdoren gjerësisht nga organizatat kriminale për blerje sasish të mëdha kokaine dhe pastrim parash.
“Vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara për vitin 2024 ka arritur në 59 milionë euro. Mes tyre janë edhe kriptovalutat, të cilat po gjejnë përdorim të madh nga organizatat kriminale për transaksione ilegale. Lufta ndaj pastrimit të parave synon të japë mesazhin e qartë që krimi nuk mund të blejë apo të shpërblejë,” tha Dumani.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur SPAK ka intensifikuar veprimet e tij kundër rrjeteve të trafikut të drogës dhe korrupsionit të nivelit të lartë, duke ndjekur mekanizmat financiarë që mbështesin veprimtaritë kriminale.