
Biznesmenja Vilma Nushi është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme Anti-Korrupsion (GJKKO) për një çështje gjyqësore që ka me deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e cila lidhet me një proces për shpifje.
Emri i Nushit ka qenë shpesh në qendër të debatit politik, pasi opozita ka kërkuar dëshminë e saj në Komisionin Hetimor Parlamentar për koncesionet në shëndetësi. Sipas akuzave të opozitës, ajo ka përfituar rreth 1.5 milionë euro divident nga kontratat e lidhura me koncesionin e Check-Up.
Pavarësisht thirrjeve për të dëshmuar për koncesionet e Sterilizimit dhe Check-Up, Nushi nuk është paraqitur në komisionin hetimor parlamentar. Sot ajo ka shfaqur praninë e saj në GJKKO për çështjen gjyqësore që ka ngritur ndaj Vokshit.
Ndërkohë, hetimet mbi koncesionet në shëndetësi mbeten një ndër çështjet më të debatueshme në skenën politike shqiptare, me SPAK-un që ka nisur verifikime të mëtejshme për abuzime të mundshme në këtë sektor.