Opozita formon koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për zgjedhjet e 11 majit

0

Partia Demokratike dhe 25 parti të tjera opozitare kanë zyrtarizuar bashkëpunimin e tyre për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke krijuar koalicionin “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Kërkesa për regjistrimin e koalicionit u dorëzua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pak para mesnatës së së hënës.

Në këtë marrëveshje janë përfshirë forca të ndryshme politike opozitare, duke përfshirë Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) të Shpëtim Idrizit, Partinë e Lirisë (PL) të Ilir Metës, Partinë Republikane (PR) të Fatmir Mediut, Partinë Agrare Ambientaliste (PAA) të Agron Dukës, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) të Vangjel Dules dhe Partinë Demokristiane (PDK) të Nard Ndokës.

Në deklaratën e përbashkët të partive të koalicionit theksohet se bashkimi i tyre ka si objektiv kryesor rotacionin politik dhe fitoren në zgjedhjet e 11 majit. “Me anë të kësaj marrëveshje, ne bashkohemi si forca politike opozitare dhe si përfaqësues të qytetarëve të Shqipërisë, me qëllimin për të sjellë ndryshimin e shumëpritur,” thuhet në deklaratë.

Partitë opozitare kanë akuzuar qeverinë aktuale për keqqeverisje, korrupsion dhe kapjen e institucioneve, duke theksuar se largimi i saj është një domosdoshmëri për rikthimin e një shteti funksional dhe të drejtë.

Koalicioni opozitar pritet të jetë sfiduesi kryesor i Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama në zgjedhjet e ardhshme, duke synuar të mobilizojë elektoratin e djathtë dhe të pakënaqurit me qeverisjen aktuale.

Artikulli i mëparshëmSPAK përgjon për dy javë anëtarin e Kushtetueses, Gent Ibrahimi: Dyshime për ndikim në vendimin për “Sky ECC”
Artikulli i radhësProfesionet e lira do tatohen deri në 23% nëse kanë më pak se tre klientë