
Seanca gjyqësore për dosjen “Plumbi i Artë” në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është shoqëruar me debate të forta dhe akuza mes të pandehurve.
Dumani: Më premtuan 40 mijë euro për vrasjen e Fatmira Dedës
Gjatë dëshmisë së tij, Nuredin Dumani deklaroi se Festim Qoli i kishte premtuar 40 mijë euro për të vrarë Fatmira Dedën, nënën e të ndjerit Ervis Deda (“Losha”).
Sipas tij, ai kishte marrë 10 mijë euro paradhënie nga Festim Qoli, ndërsa 30 mijë euro i mori nga Petrit Qoli disa ditë pas vrasjes.
“Festim Qoli më premtoi 40 mijë euro dhe më siguroi përfshirje në trafikun e kokainës. E dija që Petrit Qoli merrej me biznes. Ai më dha 30 mijë euro pas ngjarjes,” – tha Dumani në sallën e gjyqit.
Ai gjithashtu përmendi një rast të vitit 2014, duke deklaruar se Petrit Qoli kishte ndihmuar një shtetas turk të “shkonte në fund të detit”, por pa dhënë më shumë detaje mbi identitetin e tij.
Petrit Qoli: Po të gjejnë një dëshmitar, kërkoj ekzekutim në gijotinë
Në mbrojtje të tij, Petrit Qoli hodhi poshtë akuzat dhe kërkoi prova konkrete.
“Nëse ka një dëshmitar që provon se jemi takuar pas ngjarjes, unë kërkoj të më ekzekutojnë në gijotinë,” – deklaroi ai.
Qoli ironizoi edhe të kaluarën shëndetësore të Dumanit, duke thënë:
“Ky ka lindur me difekt, ka lindur me birë në zemër dhe është operuar në Francë. Babai i tij është burrë me vlera, por fati i tij është i keq. Ti je i ndyrë, për disa topa letre ke vrarë njerëz.”
Debati me Agron Qolin
Në seancë pati përplasje edhe mes Nuredin Dumanit dhe Agron Qolit, i cili e sfidoi për deklaratat e tij.
Agron Qoli: “A jeni i sigurt që po tregoni të vërtetën për vrasjen e asaj nëne? Dikur keni thënë që jeni ju?”
Nuredin Dumani: “Kam thënë të vërtetën.”
Agron Qoli: “A ke dijeni që unë kam paguar shpenzimet e varrimit të Fatmira Dedës?”
Nuredin Dumani: “Po, ke paguar me lekët e Festim Qolit.”
Përfundimi i seancës
Seanca u karakterizua nga tensione të mëdha dhe përplasje verbale të ashpra mes të pandehurve, ndërsa procesi gjyqësor për dosjen “Plumbi i Artë” pritet të vazhdojë me dëshmi dhe përballje të reja.