
Në epokën e politikës së spektaklit dhe imazhit të kuruar, Edi Rama ka gjetur një mënyrë për të shmangur çdo konfrontim të vërtetë me median dhe opinionin publik: daljet e tij të njëanshme në Instagram, në ciklin e quajtur “Sy më Sy”. Prej vitesh, ai nuk del më përpara gazetarëve të pavarur dhe shmang pyetjet e pakëndshme, përveç në rastet kur pyetjet janë të përgatitura paraprakisht dhe pyetësit të përzgjedhur me kujdes.
Në një nga këto dalje, Rama zbuloi një anë të re të tij: jo më lideri që pi verëra të shtrenjta dhe udhëton me charter privat, por një njeri që ha një herë në dy ditë dhe pi vetëm pak ujë. Kjo narrativë e re e “asketizmit” të tij, e ndërtuar në një format ku nuk ka pyetje sfiduese, vetëm monologë dhe propagandë, vjen në një kohë kur shqiptarët përballen me krizë ekonomike, rritje çmimesh dhe pasiguri për të ardhmen.
Një vakt në dy ditë apo verë 33 mijë euro?
Në këtë cikël propagandistik të titulluar “Sy më Sy”, Rama deklaroi me bindje:
“Nëse arrin të bësh një cikël prej 48 orësh vetëm me ujë, është një gjë shumë pozitive për organizmin. E kam bërë 2-3 herë. Ndërkohë që, është gjëja më normale për mua, që përgjithësisht të ha vetëm një vakt, në darkë. Dhe në darkë, në shtëpi.”
Një lider që flet për jetesë minimaliste, për sakrificë dhe për përkushtim ndaj punës tingëllon si një figurë shembullore… derisa të kujtojmë se ky është i njëjti person që sipas ish-bashkëpunëtorit të tij, Arben Ahmetaj, konsunin verë që kushton 33 mijë euro një shishe.
Pra, cili është i vërteti? Rama që jeton me ujë dhe një vakt të varfër, apo ai që frekuenton restorante ku fatura arrin deri në 10 mijë dollarë për një darkë, si përflitet për darkat me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal?
“Sy më Sy”: Formati ku pyetjet nuk ekzistojnë
Nuk është rastësi që këto deklarata vijnë nga një format i kontrolluar plotësisht nga vetë Rama, ku asnjë gazetar i pavarur nuk ka mundësinë të pyesë, të sfidojë ose të kërkojë fakte për pretendimet e tij.
Prej vitesh, Edi Rama nuk del më në konferenca të hapura për shtyp, përveç rasteve kur pyetjet janë të përgatitura paraprakisht dhe të gjithë pyetësit të përzgjedhur sipas nevojave të Kryeministrit. Në vend të ballafaqimit me median, ai ka krijuar një botë paralele në Instagram, ku ndjekësit dëgjojnë vetëm atë që ai dëshiron të thotë, pa asnjë mundësi për të vënë në pikëpyetje fjalët e tij.
Në këtë kontekst, deklarata mbi një jetë asketike është më shumë një fabul e mirëpropaganduar se sa një realitet i prekshëm. Kur dikush pi verë që kushton sa një apartament, është e vështirë të besohet se po sakrifikon për të njëjtin popull që mezi përballon faturat e energjisë.
Nga “asketizmi” te luksi i maskuar
Nëse Rama është kaq i përkorë dhe i kursyer, atëherë pse:
- Paguan miliona për udhëtime me charter privat?
- Ndërton një kopsht prej 4 milionë eurosh vetëm për fotot e Instagramit?
- Qeraste McGonigal-in në restorante luksoze, ku një darkë kushtonte më shumë se rroga mesatare vjetore e një qytetari shqiptar?
- Ka dhënë me koncesion miliarda euro projekteve të oligarkëve që financojnë fushatat e tij?
Përgjigja është e thjeshtë: nuk është asketizëm, është një mashtrim mediatik.
E vërteta e fushatës: Rama si “i varfëri” i pasur
Jemi në prag të zgjedhjeve të 11 majit, dhe si çdo politikan që kërkon të zbusë imazhin e tij, Rama është futur në modalitetin e “njeriut të popullit”. Ai nuk flet më për projekte madhështore, nuk mburret më me investime milionëshe, por tenton të paraqitet si një udhëheqës modest që punon vetëm për shqiptarët.
Po a mund të besojmë një njeri që pretendon se ha një herë në dy ditë, por jeton në një luks që pak shqiptarë mund ta imagjinojnë? A mund të besojmë një lider që nuk guxon të dalë përpara gazetarëve të lirë dhe zgjedh të komunikojë vetëm përmes një platforme ku ai kontrollon çdo detaj të mesazhit të tij?
Në Shqipërinë e Ramës, shiten gënjeshtra të paketuara bukur. Deri më 11 maj, do të dëgjojmë për një Edi Ramë që jeton me ajër dhe ujë. Por pas zgjedhjeve, do të rikthehet i njëjti person që udhëton me charter, që shet pasuritë publike dhe që të shikon nga lart me po atë arrogancë që e ka bërë “Sy më Sy” një shfaqje teatrale të vetë-admirimit.