
Ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, është arrestuar dhe dërguar në paraburgim lidhur me tragjedinë e rëndë në Koçan, ku një zjarr në diskotekën PULS shkaktoi vdekjen e 59 të rinjve dhe plagosjen e 155 të tjerëve.
Sipas burimeve të TetovaSot, Bekteshi akuzohet për dhënien e një licence të falsifikuar për diskotekën PULS, e cila nuk përmbushte standardet e sigurisë. Kjo licencë, lëshuar nga Ministria e Ekonomisë gjatë kohës së tij në detyrë, është bërë objekt hetimi nga autoritetet maqedonase.
Kryeprokurori Kocevski ka kërkuar paraburgim për Bekteshin, ndërsa partitë BDI dhe LSDM insistojnë se rasti nuk duhet të politizohet dhe kërkojnë një hetim të plotë ndaj të gjitha institucioneve që mund të jenë përfshirë.
Protestat për drejtësi në Koçan dhe Shkup
Pas ngjarjes tragjike, qytetarët e Koçanit organizuan protesta duke kërkuar drejtësi dhe llogaridhënie për viktimat. Një tjetër protestë e madhe pritet të zhvillohet nesër në Shkup, në orën 18:00, në shenjë revolte ndaj neglizhencës institucionale.
Tragjedia që tronditi Maqedoninë e Veriut
Ngjarja e rëndë ka sjellë reagime të forta publike dhe politike, ndërsa qeveria është nën presion për të zbuluar të gjitha përgjegjësitë. Hetimet vazhdojnë, dhe pritet që të dalin informacione të reja mbi rolin e zyrtarëve në këtë çështje.