
Në një dëshmi të detajuar para Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Nuredin Dumani ka zbuluar se pas vrasjes së ish-shefit të policisë në Komisariatin Nr.6, Dritan Lamaj, qëndronte Henrik Hoxhaj.
Dumani, i njohur si një nga vrasësit me pagesë të grupeve kriminale në Shqipëri, tregoi se kishte pasur një konflikt të mëparshëm me Lamajn, i cili e kishte qëlluar gjatë arrestimit të tij. “Më kishte rrahur disa herë kur më arrestuan. Kur dola nga burgu, mora vesh që e kishin vrarë,” tha ai gjatë dëshmisë.
“Mu Bë Qejfi për Vrasjen e Tij”
Sipas rrëfimit të Dumanit, pasi mësoi për ekzekutimin e Lamajt, ai kishte biseduar me Festim Qolin dhe kishte shprehur gëzim për ngjarjen. “I thashë: ‘Do ju jap një drekë atyre çunave’. Festimi më tha: ‘Do ja japësh, se është vëllai jonë’. Ai e kishte fjalën për Henrik Hoxhajn,” deklaroi Dumani.
Takimet me Henrik Hoxhajn dhe Organizimi i Atentateve
Dumani sqaroi se ishte njohur me Henrik Hoxhajn përmes Festim Qolit dhe se kishin zhvilluar disa takime, përfshirë një në hotel “Diplomat” në Tiranë. “Diskutuam për atentatet që do bënim,” rrëfeu ai.
Një nga diskutimet përfshinte edhe planifikimin e atentatit ndaj Dorian Shkozës. “Henriku do merrte 35 mijë euro për ekzekutimin,” sqaroi Dumani, duke zbuluar se ishin përfshirë edhe Kevis Alla dhe Asllan Plaku.
Rëndësia e Dëshmisë së Dumanit
Deklaratat e Dumanit kanë tronditur hetimet dhe kanë çuar në rihapjen e disa çështjeve të mëdha kriminale. Ai ka ofruar informacione të rëndësishme mbi funksionimin e rrjeteve kriminale dhe rolin e individëve kyç në ekzekutimet me pagesë.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë dëshmitë për të zbuluar përgjegjësit e tjerë dhe për të ndëshkuar organizatat kriminale që kanë vepruar në Shqipëri për vite me radhë.