
Gjykata e Tiranës ka vendosur “arrest me burg” për Aleksandër Krashin, 24-vjeçarin që drejtonte betonieren e përfshirë në aksidentin tragjik në Fushë-Prezë, ku humbën jetën katër të rinj.
Prokuroria e Tiranës ka ngritur ndaj të riut tre akuza penale:
- Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor
- Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt
- Largim nga vendi i aksidentit
Sipas Policisë Rrugore, Krashi nuk dispononte leje drejtimi për kategorinë e mjetit, ndërsa betonierja rezultonte pa dokumentacionin teknik të duhur. Për më tepër, ai kishte ndaluar në karrexhatë pa ndezur sinjalizuesit, duke shkaktuar një situatë të rrezikshme për qarkullimin.
Në përplasjen fatale humbën jetën:
- Enejdi Laçi, drejtuesi i mjetit
- Erildi Laçi, 20 vjeç
- Enrikejd Kurti, 24 vjeç
- Andi Laçi, 22 vjeç
Prokurori i çështjes deklaroi se shkeljet e shumta ligjore të shoferit të betonieres përbëjnë rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndaj kërkesa për burgim të menjëhershëm u pranua nga gjykata.