
Mbi 343 protestues janë arrestuar në Turqi gjatë demonstratave të organizuara pas arrestimit të kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu, njoftoi Ministria e Brendshme turke. Protestat janë zhvilluar gjatë natës në dhjetëra qytete, përfshirë Stambollin dhe Ankaranë.
Sipas autoriteteve, arrestimet synonin parandalimin e prishjes së rendit publik dhe u theksua se nuk do të tolerohet kaosi apo provokimet. Demonstratat, të mbajtura në përgjithësi në mënyrë paqësore, nisën menjëherë pas arrestimit të Imamoglut të mërkurën, nën akuza për korrupsion dhe mbështetje ndaj një grupi terrorist.
Ekrem Imamoglu, 54 vjeç, është rivali kryesor politik i presidentit Erdogan dhe konsiderohej si kandidat potencial i opozitës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Partia e tij, Partia Popullore Republikane (CHP), e ka dënuar ashpër arrestimin, duke e cilësuar të motivuar politikisht dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë në kutitë e vendosura simbolikisht në vend, si formë rezistence publike.
Ndërkohë, ekziston mundësia që presidenti Erdogan të shpallë zgjedhje të parakohshme, për të shmangur kufizimin e dy mandateve që parashikon kushtetuta. Arrestimi i Imamoglut dhe reagimi masiv publik kanë nxitur tensione të reja politike në vend.