
Një banesë në fshatin Gajush të Lezhës, në zonën e njohur si “rruga e Burgut”, është përfshirë nga flakët në mesditën e së shtunës. Ngjarja shkaktoi dëme të pjesshme materiale, ndërsa nuk raportohet për të lënduar.
Bëhet e ditur se banesa është në pronësi të shtetasit Pjetër Gjonaj. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me shpejtësi për të izoluar zjarrin, duke parandaluar përhapjen e flakëve në shtëpitë përreth.
Aktualisht shkaqet e zjarrit mbeten të paqarta. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat që çuan në këtë incident.
Ngjarja ka sjellë shqetësim te banorët e zonës, ndërsa situata është vënë nën kontroll brenda pak minutash nga ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse.