Thaçi në Prishtinë, takohet me vëllezërit në zyrat e EULEX

0

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për herë të parë që nga viti 2020 kur u vendos në paraburgim në Hagë, qëndroi mbrëmjen e kaluar në Kosovë. Pas vizitës në vendlindjen e tij në Burojë të Skenderajt, ku kreu homazhe pranë varrit të babait, ai kaloi natën në zyrat e EULEX-it në Prishtinë.

Në ambientet e EULEX-it, Thaçi u takua me tre vëllezërit e tij, Gani, Blerim dhe Idriz Thaçi. Pamjet e vizitës janë bërë publike nga Gazeta Nacionale.

Vizita e Thaçit në Kosovë u lejua nga Gjykata Speciale vetëm pesë ditë pas ndarjes nga jeta të të atit. Gjatë ditës, ai vendosi kurora me lule te varri i babait dhe më pas qëndroi për disa orë me familjen e tij të ngushtë në shtëpi.

Mesazhi i tij në kurorën e vendosur te varri i të atit mori vëmendje të gjerë në rrjetet sociale:
“Te varri yt erdha i fundit, babë. Para meje erdhën mijëra qytetarë. Së shpejti, dorë më dorë, do t’i falënderoj të gjithë! Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës.”

Gjatë gjithë vizitës, siguria ishte e lartë. Njësia speciale e policisë së EULEX-it me armë të gjata dhe të maskuar qëndroi pranë ish-presidentit. Kjo gjendje ka nxitur reagime në opinionin publik.

Ish-eprori i UÇK-së, UK Lushi, deklaroi se kjo është formë torturimi ndaj një ish-presidenti dhe kërkoi reagim nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti:
“Gjykata Speciale po e torturon njeriun tonë në emër të Kosovës. Si e keni ndërgjegjen ndërsa heshtni?”, shkroi Lushi në profilin e tij.

Pas kësaj vizite të shkurtër dhe të mbikëqyrur nga autoritetet ndërkombëtare, Hashim Thaçi do të rikthehet sërish në Hagë.

Artikulli i mëparshëmProtesta masive në Turqi pas arrestimit të Imamoglu: Mbi 300 persona të ndaluar
Artikulli i radhësMotër e vëlla në Lezhë kapen duke vjedhur në një parukeri