Foto me Veliajn “djeg” kandidatin për GJKKO, kushtetuesja vendos për ligjin e SPAK-ut

0

Skualifikimi i gjyqtarit Gerd Hoxha, sot zëvendëskryetar i Gjykatës së Tiranës, nga gara për anëtar në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) për shkak të një fotografie të rastësishme me kryebashkiakun Erion Veliaj, ka ndezur një debat të ri kushtetues.

Në datën 27 mars, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ligjshmërinë e nenit 6 të ligjit për institucionet e posaçme, me kërkesë të gjykatës administrative të Tiranës dhe me Kuvendin si palë të interesuar.

Thelbi i debatit nuk është fotografia vetë, por përbërja dhe legjitimiteti i Komisionit të Posaçëm të Verifikimit, i cili përbëhet nga dy prokurorë të SPAK-ut, një gjyqtar i GJKKO-së dhe dy hetues. Gerd Hoxha e cilëson antikushtetues praninë e hetuesve, duke vënë në dyshim rolin e tyre në filtrin final për përzgjedhjen e gjyqtarëve.

Ky nuk është rasti i vetëm. Më herët, prokurorja Sonila Muhametaj dhe prokurori Ndini Tavani janë përjashtuar nga gara për SPAK. Të dy kanë kontestuar procesin dhe kanë ndërmarrë beteja ligjore. Muhametaj është ankuar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, ndërsa Tavani ka çuar çështjen në Gjykatën e Lartë, pasi procesi i tij është bllokuar për shkak të pritjes së vendimit kushtetues për rastin Hoxha.

Këto raste vënë në pikëpyetje transparencën dhe standardet e përzgjedhjes për organet e drejtësisë së re. Ata që mbeten jashtë, hedhin hije mbi procesin, duke e cilësuar selektiv, të politizuar dhe të parapëlqyer.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin Hoxha mund të krijojë një precedent të ri, që do të ketë ndikim jo vetëm mbi përzgjedhjet aktuale por edhe për besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë së re në tërësi.

Artikulli i mëparshëmBerisha nga Napoli: “Diaspora do të shpëtojë Shqipërinë, Rama i ka ditët e numëruara”
Artikulli i radhësRama nga Vlora: Socialistët në burg? Janë me gishtat e dorës – Ne jemi miliona që luftojmë për drejtësinë