
Një konflikt i armatosur ka ndodhur paraditen e së hënës në zonën e Kamzës, ku dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti. Ngjarja ka ndodhur në rrugën OSBE, dhe ka sjellë një reagim të menjëhershëm të Policisë së Tiranës, e cila ka shkuar në vendngjarje për të kryer hetimet paraprake.
Sipas informacioneve zyrtare, një automjet me xham të dëmtuar është rrethuar nga forcat e policisë, ndërsa po verifikohet nëse dëmtimi është shkaktuar nga plumb apo nga sende të forta.
Autoritetet janë në kërkim të një automjeti të dytë tip ML, ngjyrë e bardhë, i cili dyshohet se është përfshirë në incident. Deri tani nuk raportohet për të lënduar, por hetimet janë në vijim për të zbardhur plotësisht motivet dhe autorët e mundshëm të ngjarjes.
Policia ka rritur praninë në zonë dhe po punon për identifikimin e të përfshirëve dhe për të verifikuar nëse kemi të bëjmë me një përplasje të armatosur apo konflikt të dhunshëm me mjete të forta.