RENEA në Afrikë për një 19-vjeçar: Operacion luksi apo propagandë shtetërore?

0

Një 19-vjeçar shqiptar i rikthyer në Tiranë nga Freetown-i i largët i Sierra Leones ka prodhuar një ngjarje të pazakontë institucionale: një operacion ndërkombëtar me përfshirjen e RENEA-s, Interpol Tiranës dhe strukturave diplomatike shqiptare për shoqërimin e një individi që, sipas versionit zyrtar, ndodhej në gjendje emocionale të rënduar pas një rrëmbimi.

Lexo edhe:

Ardit Bido ka falsifikuar dokumente arkivore? Kreu i opozitës bën denoncimin bombë

Në pamje të parë, rasti mund të përshkruhet si një histori suksesi, por detajet e publikuara ngrenë disa pyetje thelbësore mbi proporcionalitetin institucional, përdorimin e resurseve publike dhe qëllimet reale të këtij misioni.

Një ndërhyrje jashtë çdo standardi?

Në rastin konkret, Policia e Shtetit bëri të ditur se dërgoi punonjës nga Interpol Tirana dhe nga Reparti Special RENEA për të shoqëruar të riun nga Sierra Leone në Shqipëri, në bashkëpunim me Ambasadën në Londër dhe homologët në Freetown. Nuk jepet asnjë shpjegim se përse një strukturë elitare e Policisë si RENEA është përfshirë në një operacion që nuk shfaq asnjë rrezik aktiv për jetën ose sigurinë e personit në fjalë, i cili sipas deklaratave zyrtare kishte shpëtuar dhe ndodhej në stacionin e policisë lokale.

Në një kohë kur qytetarët shqiptarë hasin vështirësi të mëdha për të marrë asistencë konsullore edhe në vendet fqinje, ky operacion shfaq një trajtim të paprecedentë dhe selektiv të një rasti individual, duke ngritur dyshime mbi prioritetet e vendosura nga institucionet shtetërore.

Përdorimi i burimeve publike

Në mungesë të transparencës mbi shpenzimet, mbeten të hapura pyetjet mbi koston e këtij udhëtimi ndërkontinental, ku janë përfshirë fluturime drejt Afrikës Perëndimore, akomodimi i punonjësve të policisë, pajisjet e nevojshme logjistike dhe procedurat diplomatike për pajisjen me viza.

A është kjo mënyra më e drejtë dhe efikase për të garantuar sigurinë dhe kthimin e qytetarëve shqiptarë që ndodhen jashtë vendit? Apo kemi të bëjmë me një aksion të papërmasuar për një rast individual, i përdorur për qëllime simbolike ose imazherike?

Pse jo përmes rrugëve të zakonshme diplomatike?

Në raste të ngjashme, procedurat standarde të riatdhesimit zhvillohen përmes ambasadave ose organizatave ndërkombëtare si IOM, të cilat janë të specializuara në trajtimin e rasteve vulnerabël. Prania fizike e forcave speciale në një shtet të largët si Sierra Leone është një veprim që, në mungesë të një rreziku konkret për jetën e shtetasit, nuk gjen mbështetje në përvojat e mëparshme të Policisë së Shtetit.

Në vend të një mekanizmi të qartë ligjor dhe institucional, kjo ndërhyrje lë shijen e një operacioni të ndërtuar më shumë për efekt simbolik se sa për nevoja reale operacionale.

Një precedent që kërkon shpjegim

Në një realitet ku mijëra qytetarë shqiptarë emigrojnë, ndodhen në vështirësi ligjore ose sociale jashtë vendit, ky rast vendos një precedent që institucionet duhet ta sqarojnë me kujdes. A do të veprojë Policia e Shtetit me të njëjtin standard për çdo qytetar në nevojë? Apo ky ishte një përjashtim i ndërtuar mbi arsye që nuk janë bërë publike?

Përgjigjja për këto pyetje është thelbësore për të kuptuar nëse jemi përballë një rrëfimi human dhe institucional të sinqertë, apo thjesht një skenar të rregjisuar për qëllime propagandistike.

Në të dyja rastet, publiku meriton më shumë se një njoftim triumfalist. Ai meriton transparencë, standard dhe barazi trajtimi.


Artikulli i mëparshëmArdit Bido ka falsifikuar dokumente arkivore? Kreu i opozitës bën denoncimin bombë
Artikulli i radhësKryemadhi për divorcin me Metën: Iku nga shtëpia më 1 prill, e mësova nga mediat