Turqia në flakë protestash pas arrestimit të Imamoglu-t: Liromi i gazetarëve ngre zërin e shtypit të lirë

0

Turqia po përjeton valën më të madhe të protestave që nga lëvizja Gezi në vitin 2013, pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, i konsideruar si rivali më serioz i presidentit Recep Tayyip Erdogan. Arrestimi i Imamoglu-t më 19 mars shkaktoi zemërim publik dhe mobilizoi mijëra qytetarë në rrugë. Si pasojë e demonstratave, tetë gazetarë u arrestuan në mënyrë të dhunshme nga autoritetet turke – një veprim që ndezi dënimin ndërkombëtar.

Sipas organizatës për të drejtat e njeriut MLSA, fotoreporteri i AFP-së Yasin Akgul ishte mes të arrestuarve, bashkë me shtatë kolegë të tjerë që u ndaluan për pjesëmarrje në protesta të paautorizuara. Sot, ata janë liruar nga autoritetet turke, por dy gazetarë mbeten ende në paraburgim.

Organizata ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij” (RSF) reagoi menjëherë, duke e cilësuar lirimin e gazetarëve si një “lehtësim”, por duke kërkuar që edhe dy të tjerët të lirohen pa kushte.

Protestat që shpërthyen menjëherë pas arrestimit të Imamoglu-t janë përhapur në shumë qytete të mëdha të Turqisë, duke e kthyer çështjen në një simbol të rezistencës kundër autoritarizmit në rritje të Erdoganit. Autoritetet kanë ndaluar tubimet dhe kanë arrestuar deri tani mbi 1.400 protestues, ndërsa media të pavarura raportojnë për përdorim të tepruar të forcës nga ana e policisë.

Kryebashkiaku Imamoglu u arrestua me akuza të fabrikuara nga drejtësia e kontrolluar politike – një lëvizje që opozita dhe analistët e huaj e konsiderojnë si përpjekje për të ndalur hovin e një figure që rrezikon realisht pushtetin e Erdoganit.

Arrestimi i gazetarëve që mbuluan protestat ishte një tjetër mesazh frikësues ndaj shtypit të lirë në Turqi. Mediat kritike ndaj qeverisë janë sistematikisht të censuruara, ndërsa gazetarët që guxojnë të raportojnë të vërtetën, përballen me ndjekje penale.

Në një moment kritik për demokracinë në rajon, lirimi i gazetarëve tregon se presioni ndërkombëtar mund të funksionojë, por gjithashtu shfaq sa i brishtë është parimi i lirisë së shprehjes në një vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Tashmë vëmendja është përqendruar te qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar, i cili pritet të rrisë presionin ndaj Ankarasë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe parimet demokratike. Arrestimi i Imamoglu-t dhe reagimi brutal ndaj shtypit janë tregues të një kursi të rrezikshëm që mund ta çojë Turqinë edhe më tej drejt autokracisë.

Artikulli i mëparshëmEdi Rama, armiku i biznesit të vogël: Rritja e pagës minimale është sulm ndaj të vetëpunësuarve, jo ndihmë për qytetarët
Artikulli i radhësBE ndryshon rregullat e hyrjes së mallrave nga 1 prilli: Eksportuesit shqiptarë duhet të përshtaten me sistemin e ri ICS2